Krerët e shtetit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, dhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kanë uruar 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në kuadër të aktiviteteve që do të mbahen sot, ata morën pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit të Kosovës në oborrin e ndërtesës së Qeverisë.

Osmani, derisa uroi qytetarët, tha se sakrifica për të ardhur deri në këtë ditë ka qenë shekullore.

“I uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran dhe të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë. Në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë, dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka që ne sot ta gëzojmë shtetin. Natyrisht që sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore”, tha Osmani.

“Shpeshherë ne fokusohemi te vitet e fundit, 80-ta e 90-ta, por në fakt kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin e pavarur të Kosovës. Shprehim respektin më të thellë për të gjithë që kontribuon”, shtoi.

Ajo shprehu respektin më të thellë për rrugën dhe kontributin e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, për sakrificën e familjes Jashari, në krye me komandantin Adem Jashari, e për mijëra dëshmorë, heronj të UÇK-së, “për të gjithë ata që dhanë jetën, dhanë mundin dhe bënë sakrificë në mënyrë që të gjithë së bashku t’i gëzohemi shtetit tonë”.

“Natyrisht që është kjo sakrificë që ka trasuar rrugën tonë përpara, për forcimin e shtetit tonë drejt rrugës euroatlantike, në këtë familje ku ne gjithmonë e kemi pasur vendin”, deklaroi ajo.

Kurti nga ana tjetër, tha se sot festohet, por njëkohësisht “edhe nderojmë rezistencën paqësore e kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kosova po rritet. Po rritet numri i viteve të pavarësisë e numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, mirëqenia e qytetarëve, dhe fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta ka kontribuar dhe është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran”, potencoi ai.

Ndërsa, Haxhiu theksoi se në këtë ditë dhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën për pavarësinë që sot qytetarët e Kosovës e gëzojnë.

“Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mbase një Republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar se liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Pra, dëshmorët e kombit dhe martirët”, tha Haxhiu.

Por, po ashtu ajo potencoi se nderojnë edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. “Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale që funksionojnë me integritet dhe po ashtu me profesionalizëm”, pohoi ajo ndër të tjera.

Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Deklaratën e pavarësisë e kishte lexuar Hashim Thaçi, atëbotë Kryeministër i Kosovës.