Dënimi eventual i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga Gjykata Speciale, nuk do të kalonte pa pasoja për Kosovën, ka thënë Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini.
Këto komente, Gjini i bëri në një konferencë për media të martën, pas mbledhjes së Kryesisë së Aleancës.
“Një dënim i tillë nuk ka me kalu pa pasoja për Kosovën. Për secilin prej nesh. Për ju. Nuk kalon pa pasoja. Por, gjithmonë një populli i mbetet mos me heqë dorë prej ëndrrës së vet kurrë. Edhe primarja është me u kthy në normalitetin tonë të bindjes sonë për historinë tonë, për lirinë tonë”, deklaroi Gjini.
Kryetari i Gjakovës është i bindur që dënimi i krerëve të UÇK-së do të ishte “fatkeqësi edhe për drejtësinë, po edhe për ne nëse këta njerëz shpallën fajtorë për ato vepra”.
Ai theksoi se lufta e UÇK-së nuk ka qenë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales. “Dhe unë dua të besoj që drejtësia ka me i gjetë këto fakte”, shtoi.
Kreu i Aleancës shprehu mbështetje për “Marshin e Lirisë” që do të mbahet më 12 shtator, ku bëri me dije edhe se do të jetë njëri nga folësit e këtij marshi, duke iu përgjigjur kështu pozitivisht ftesës së përfaqësuesve të Platformës “Liria ka Emër”, të cilët, si organizatorë të marshit, ftuan të gjithë krerët e partive politike që të marrin pjesë e të flasin para qytetarëve.
Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpall aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator.









