Franca paralajmëron qytetarët e saj në Kosovë: Shmangni lëvizjet, do ketë tubime të mëdha

Franca u ka bërë thirrje qytetarëve francezë që jetojnë në Kosovë që të shmangin çdo udhëtim të mërkurën, në ditën kur do të shpallet verdikti ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ka thënë se janë planifikuar tubime “me karakter politik”.

“Më 16 shtator, nga ora 10:00, në të gjitha qytetet e Kosovës janë parashikuar tubime të mëdha me karakter politik. Shtetasve francezë u rekomandohet të qëndrojnë larg këtyre protestave/tubimeve dhe të shmangin çdo udhëtim jo të domosdoshëm në qytete dhe në vend, deri në fund të ditës”, thuhet në reagimin e MPJ-së franceze.

Një ditë më parë, një reagim të ngjashëm bëri edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ata thanë se më 16 shtator, disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha në Prishtinë dhe qytete të tjera dhe u bëri thirrje shtetasve amerikanë që t’i shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve ku janë paralajmëruar, sipas tyre, protestat.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, thanë nga ambasada amerikane.

Të mërkurën e 16 shtatorit, nga ora 10:00, Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpall aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Krerët e UÇK-së gjenden në qendrën e paraburgimit që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Prokuroria e Speciales i akuzon ata për krime të pretenduara lufte dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.

Nga ana tjetër, të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.