Ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se e gjithë Kosova është në ankth në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së, por siç tha burimi i këtij ankthi nuk është i njëjtë për të gjithë.
Në një intervistë për Vox Kosova, Haradinaj ka folur edhe për ata qytetarë që presin një vendim dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Pjesa që e ka humbë atë luftë, në këtë rast Serbia, duhet të jetë ndoshta edhe e shqetësume, edhe e mërzitun, edhe në ankth për një vendim pozitiv ndaj krerëve të UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se këtë qëndrim nuk e sheh vetëm te Serbia, por edhe te persona në Kosovë që, sipas tij, kanë bashkëpunuar me Serbinë.
“Pra i bjen që kisha pasë dëshirë që të gjithë ata që mërziten për lirimin e tyre me ndërru këtë shtet, me shku naj shtet tjetër”, është shprehur Haradinaj.
Duke iu referuar reagimeve në rrjete sociale dhe protestës së fundit në Prishtinë, Haradinaj ka qenë edhe më i ashpër ndaj atyre që shprehin dëshirë për dënimin e krerëve të UÇK-së.
“Ata s’kanë marre. Këta janë njerëz të këqij, njerëz të prishët. Ata nuk e kanë dashtë as lirinë e Kosovës, as Pavarësinë e Kosovës, as shtetin funksional të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka folur edhe për mundësinë që një vendim i Gjykatës Speciale të ndikojë në mënyrën se si trajtohet historia e luftës së UÇK-së.
Ai ka thënë se UÇK-ja ka luftuar kundër një regjimi që, ka kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe se lufta e saj ishte e lidhur drejtpërdrejt me çlirimin dhe vetëmbrojtjen.
“Ne kemi luftu kundër një regjimi, prej shpijave tona, prej vendit tonë, prej tokave tona për me kanë të lirë. Nuk mundet me kanë ndërmarrje e përbashkët Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për një veprim të tillë, se ka qenë më shumë se domosdoshëm vetëmbrojtja”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se ekzistonte një mekanizëm komandues përmes të cilit Hashim Thaçi u jepte urdhra komandantëve në terren.
“Mua s’ka arritë kurrë Hashim Thaçi me më dhanë urdhër, kurrë në jetën e vetë hiç. Le të thotë gjithë ditë e gjatë Prokuroria diçka, unë jam kanë Komandant i Brigadës në Deçan”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai tha se mungesa e instrumenteve dhe mekanizmave të tillë në terren e bën të pabazuar pretendimin për një strukturë të përbashkët komanduese.
Në fund, Haradinaj ka thënë se ankthi në Kosovë është i madh, por jo të gjithë presin të njëjtin rezultat.
“Dikush është në ankth prej frikës që do të lirohen, dikush është në ankth prej frikës që do të dënohen. Shumica e shqiptarëve, unë besoj që janë në ankth a do të vijnë bashkëluftëtarët tanë”, ka përfunduar ai.








