“Nuk merrem me emra të veçantë. I kemi bërë 54 lëvizje në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Unë nuk merrem me emra. Ata vetëm m’i sjellin, unë i nënshkruaj.”

Këtë përgjigje që fyen inteligjencën e secilit, Glauk Konjufca po e jep kur po i kërkohet llogari që i ka mbushur misionet diplomatike me familjarë politikanësh, emra partiakë, teze, halla e dajallarë të figurave të Vetëvendosjes.

Por veç 6 vjet më parë, Glauk Konjufca, kur s’ishte ministër vetë, dukej shumë më i informuar në këtë temë.

“Kosova ka vuajtur 20 vite nga bandat e zhvatjes së institucioneve shtetërore, të cilët edhe misionet tona diplomatike dhe shërbimin tonë të jashtëm e kanë kthyer në shitblerje kriminale të pozitave publike.” Shkruante tash veç nënshkruesi i emrave.

Se nuk mbushen dot ambasadat me kushëri. Se nuk punësohen tezet e axhallarët si diplomatë e dinte mirë secili në Vetëvendosje, atëherë kur tezet s’ishin të tyre.

“Nuk mundemi me i mbushë ambasadat dhe ministritë me kushëri. Kushërinjtë janë për shtëpi. Fisi është për dasmë, gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”,

Më e butë nuk ishte as Albulena Haxhiu dikur për këtë temë:

“Ajo çfarë ka qenë evidente në vazhdimësi është se një degradim i thellë i ambasadave për shkak të pazareve të subjekteve që kanë udhëhequr me vendin, fillimisht të PDK-së e pastaj të LDK-së dhe me udhëheqjen aktuale. Pra, ambasadat në vendet ku i kemi janë shndërruar si vende pune për militantët e tyre dhe për pazare me njëri- tjetrin”, vërente e shqetësuar atëherë Haxhiu.

Por në 2026 jemi në rrethana të reja. Tash Konjufca vec hedh nënshkrime poshtë e lart, pa lexuar…

Shpresojmë se vesi i mos leximit dhe nënshkrimit pa shikuar fare të mos e përcjellë Konjufcën edhe në takimet e dialogut me Serbinë.

Lutemi që aty të shikojë pak dokumentët para se t’i nënshkruajë.