“Ministri i punëve të brendshme tha që e ka menduar dorëheqjen, po mos mendo. Bëje dorëheqjen, s’ki nevojë me mendu se ka ndodh një rast jashtëzakonisht i randë.”

Dëgjojeni çfarë këshille e vyer e Albulena Haxhiut, për Ministrin e Brendshëm, kur ishte dhunuar një e mitur në Drenas e zinxhiri institucional kishte dështuar ta mbrojë.

Atëherë Haxhiu është deputete. Sot është kryedeputete. Sot ka zë më shumë, por çuditërisht Haxhiu nuk e ka bindjen e njëjtë, mendimin e njëjtë, thirrjen e njëjtë.

Sot Haxhiut bindjen ia ka gërryer pushteti.

Prandaj edhe fjalia…”Dhe ç’faj ka ministrja Gërvalla, ose ministri Sveçla”.

Çfarë faji kanë këta, të ka treguar Nazliu Balaj e Vetëvendosjes në 2019-tën.

Pyete, e ke në kabinet.

“Ky rast edhe njëherë na e dëshmon dështimin e shtetit. Në ditën e krimit e ndjera ka raportuar në polici, kërcënimet që i kishte marrë nga bashkëshorti i saj. Prandaj neglizhenca nga ana e Policisë dë Kosovës e bën këtë institucion direkt përgjegjës dhe fajtor për vrasje dhe të dështuar në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.” Deklaronte Balaj.

Çuditërisht as zonja Bogujevci më nuk flet njësoj. Mbase nuk mendon njësoj.

Po nuk ta bëri të qartë kjo deklaratë nevojën për përgjegjësi kur ka neglizhencë shteti përforcohu me një tjetër deklaratë nga një tjetër kolege e jotja e Vetëvendosjes.

“Duhet që gjithë kohës të kërkojmë përgjegjësi nga institucionet tona, nga policia, edhe është e papranueshme që gjithmonë vetëm ipen arsyetime. Dhe nuk merret asnjë përgjegjësi.” Deklaronte Bogujevci.

Ose atëherë ka folur pa menduar, ose sot nuk guxon të flas çfarë mendon.

Gjithsesi, e kemi një grua tjetër që ka bërë luftë të fortë dikur për të folur.

Fatmirësisht kjo kolose e mbrojtjes së grave tash ka edhe pushtet se është deputetet e Vetëvendosjes.

Mos na thoni se zonjës Adelina Tërshani i kushton kauza më pak se karrigia e deputetes?

Në rregull, nëse nuk flisni dot, a ka mundësi t’i lyeni muret e kryeqytetit me thirrje si këto, siç bënit dikur?

 “Gruaja denoncon policia injoron.” “Gruaja denoncon policia injoron.”

A mund të dilni edhe sot të tregoni se “Gratë janë krejtësisht të shtypura në Kosovë”, siç tregonit në 2018.

Ose sot po ju tregojmë ne, e ju bëni diçka.. Sepse ju jeni aty për të bërë diçka.

Siç thoshit vetë dikur kur s’ishit ulur aty ku sot keni ulur kokën…

“Gratë e Kosovës nuk do ta durojnë një shtet të padrejtë. Ne nuk do ta durojmë një shtet të dhunës.”

E vërteta është se ju po durokeni shumë. Çështja është, sa shumë qytetari i Kosovës do t’i durojë mashtrimet tuaja.