“Kur fëmija është kthyer në dhomë kam vërejtur se ai nuk ishte foshnja ime, por ishte ndërruar me një foshnjë tjetër…”
Kjo është dëshmia e frikshme që për Inspektoratin shëndetësor e dha prindi D.M, pasi në Spitalin Amerikan në Graqanicë, infermieret kishin ndërruar gabimisht mes vete dy foshnje të posalindura.
Në dokumentet që i ka siguruar Vox Kosova, kjo ngjarje që në vetëvete është skandaloze nxjerr edhe të tjera gabime të spitalit në pah.
Siç deklaron babai i foshnjës : “nëna nuk e ka pasur të vendosur shiritin identifikues në dorë” , pas lindjes, që “ përbën shkelje të procedurave standarde të sigurisë.”
Më i rëndë është fakti se prindërve iu desh të insistonin që stafi mjekësor ta verifikonte identitetin e foshnjës, pasi siç thotë babai, infermierja i kishte thënë “ se një gjë e tillë nuk ka mundësi të ndodhë.”
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Ispektorati Shëndetësor në gjetjet e tij.
“Personeli shëndetësor fillimisht nuk e ka marrë seriozisht dyshimin e nënës dhe nuk ka ofruar menjeherë verifikim. Vetëm pas insistimit të nënës ështe bërë kontrolli i shiritit identifikues, me c’rast është konstatuar se bebja nuk i përkiste asaj. thuhet në raport.
Shkeljet nuk ndërpriten këtu, Inspektorati ka konstatuar se infermierja që kishte sjellur beben e gabuar, nuk ishte e licensuar dhe akredituar në Ministrinë e Shëndetësisë me c’rast i është ndaluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore në American Hospital 2 deri në licensim.
Dhe a e dini çka bëri Inspektorati Shëndetësor pas gjithë këtyre shkeljeve? I dha veç një vërejtje me shkrim spitalit privat, me gjasë duke ia lënë fatit në dorë që një gjë e tillë të mos ndodh më.
Të pyetur se pse, pas gjithë këtyre shkeljeve, nuk u pa e arsyeshme të shqiptohej asnjë gjobë për Spitalin, Ministria e Shëndetësisë, që drejtohet nga Arben Vitia, duket se ka marrë disa masa vetëm pasi rasti u bë mediatik.
Siç thuhet në përgjigjen e tyre për Vox Kosova, inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor, zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim, ndërsa përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë.
Pra, vazhdimësi vërejtjesh me shkrim dhe me gojë. Ndërkohë që Spitali shpëton pa therrë në këmbë dhe vazhdon punën krejt normalisht.








