Ish-komandanti i UÇK-së dhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për qasjen ndaj procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.
Në një intervistë për Vox Kosova, Haradinaj ka thënë se nuk pret që Qeveria e Kosovës të ketë një reagim institucional në rast se vendimi i Gjykatës Speciale nuk përfundon me pafajësi.
Ai ka përmendur edhe thirrjet për “Marshin për Liri”, duke theksuar se në të njëjtën kohë ishte bërë thirrje edhe për protestë ndaj atyre që e votuan themelimin e Gjykatës Speciale.
Haradinaj ka komentuar edhe deklaratën e deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, drejtuar Kurtit, duke thënë se ajo, sipas tij, tregon se nga kanë ardhur qëndrimet e kryeministrit gjatë viteve të fundit.
Sipas Haradinajt, shoqëria kosovare e ka dhënë tashmë provimin përmes pjesëmarrjes masive në protestat dhe aktivitetet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
“Populli është në rrugë, populli është në reagim, populli është tu i demonstru pakënaqësinë e këtij procesi të stërzgjatur padrejtësisht në këto 6 vite”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka thënë se nuk pret ndonjë reagim të madh nga Qeveria, ndërsa lëvizjet e fundit politike të Kurtit i ka lidhur me datën 16 shtator, kur pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së.
“Një kryeministër i një shteti për qytetarët e vet, që gjykohen për luftën e cila ka qenë një prej luftave më të fuqishme që e ka arritë populli shqiptar, më të pastra, e ka marrë përkrahjen e aleatëve tanë, e që të njëjtit aleatë po ashtu në Tribunalin e Hagës në Gjykatën Speciale dolën edhe njëherë në mbrojtje të asaj lufte, ndërsa kryeministri jonë fshehet si skuth, zyreve dhe nuk del në shesh, me ju bashku popullit”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se Kurti nuk duhet të shqetësohet nga mundësia e lirimit të ish-krerëve të UÇK-së, por nga zemërimi qytetar.
“Idhnimit qytetar është ka i vjen fundi, është ka mbushet kupa”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, një pjesë e madhe e qytetarëve që morën pjesë në protestë kanë shprehur edhe pakënaqësi ndaj Kurtit, për shkak të qëndrimeve që ai i konsideron “anti-luftë, anti-UÇK dhe anti-vlera kombëtare”.
I pyetur se çfarë nënkupton me “zemërim qytetar”, nëse bëhet fjalë vetëm për reagim përmes votës apo edhe për forma të tjera, Haradinaj ka thënë se nuk do të dëshironte të shihte tejkalim të situatës.
“Unë nuk kisha pasë qejf me pa tejkalim të situatës. Jam i bindun që edhe vetë ata që gjykohen në Hagë nuk kanë qejf me pa një tejkalim të asaj”, ka thënë ai.
Haradinaj ka paralajmëruar se masa qytetare mund të jetë si “vullkan”, por ka theksuar se nuk do të dëshironte që reagimi të merrte karakter ndëretnik apo të drejtohej kundër institucioneve të Kosovës.
Në pjesën tjetër të intervistës, Haradinaj ka folur edhe për protestën e së shtunës, për të cilën ka thënë se është ndjerë krenar si qytetar i Kosovës.
Ai ka treguar se, për shkak të kolonës së madhe të automjeteve, nuk kishte arritur të mbërrinte në Prishtinë për protestë.
“Kam ba dy orë prej Komoranit, deri në Sllatinë nuk kam arritë me marrë pjesë në protestë për shkak të kolonës së jashtëzakonshme që janë nisë për me shku në protestë. Kishte njerëz që prej orës 10-11 veç kanë qenë në shesh”, ka treguar Haradinaj për VOX Kosova.
Sipas tij, pjesëmarrja masive në protestë është dëshmi se qytetarët e Kosovës tashmë e kanë dhënë verdiktin e tyre për ish-krerët e UÇK-së.
“Kjo është dëshmi që ata i ka shpallë qytetari i Kosovës të pafajshëm. Tash i ka mbet gjykatësve me thanë fjalën e fundit”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka kritikuar edhe Prokurorinë e Specializuar, duke thënë se ajo tashmë e ka kryer punën e saj dhe se vendimi i Gjykatës duhet të jetë vetëm një.
“Prokuroria s’ka lanë gjë të zezë pa thanë, e ka kry detyrën. Tash gjykatësit duhet me dhanë verdiktin. Verdikt tjetër në Kosovë nuk është i pranueshëm përpos pafajësia”, ka përfunduar Haradinaj.








