Shqipëria e ka shpallur “non-grata” Ikballe Hudutin, shtetasen e Kosovës e cila mori pjesë në protestat në Tiranë. E njëjta, do ta ketë të ndaluar për 15 vjet hyrjen në Shqipëri.Sipas raportimeve nga mediat shqiptare, institucionet e sigurisë “kanë konstatuar se aktiviteti i saj mund të cenojë interesat e sigurisë kombëtare, rendin publik dhe stabilitetin e vendit”.

Urdhri i është përcjellur për zbatim Policisë së Shtetit në Shqipëri dhe autoriteteve të kufirit e migracionit.

Ikballe Huduti, në Kosovë ka qenë e akuzuar për shtytje në terrorizëm, mirëpo ishte liruar nga akuzat në dy shkallë të Gjykatës.

Më herët gjatë ditës së enjte, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikoi fotografinë e Hudutit, duke thënë se e njëjta kishte thirrur për kryengritje ndaj Qeverisë së Shqipërisë e për hakmarrje ndaj SHBA-ve për vrasjen e gjeneralit famëkeq Iranian, Kasem Sulejmani.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 shtator 2020, Ikballe Berisha-Huduti akuzohej se më 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook” kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”.