Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”, katër ditë para 16 shtatorit, kur pritet përmbyllja e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, prezantuan aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe do ta pasojnë marshin.

Hoxha tha se prej gjashtë vitesh platforma, bashkë me qytetarët, ka kërkuar një proces të drejtë gjyqësor, duke theksuar se 16 shtatori duhet të shënojë fundin e asaj që ajo e quajti “sagë të errët”.

“Ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre. Jo duke paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe jo duke ndërhyrë në procesin gjyqësor, por duke e bërë të dëgjueshëm zërin qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt ndaj historisë sonë”, deklaroi Hoxha.

Ajo njoftoi gjithashtu se nga 22 gushti do të nisë numërimi mbrapsht deri më 16 shtator, i cili do të vendoset në Prishtinë dhe në komunat e tjera të Kosovës.

Po ashtu, do të organizohet aktiviteti “Netët e Lirisë”, i cili do të zhvillohet në shtatë zonat e UÇK-së.

Ndërkaq, Ismail Tasholli u bëri thirrje partive politike dhe liderëve të tyre që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, por pa simbole dhe agjenda partiake.

“Jo për të bërë fushatë. Jo për të ngritur flamuj partiakë. Por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, tha ai.

Tasholli bëri të ditur se më 16 shtator, platforma “Liria ka Emër” do të organizojë aktivitet edhe në Hagë, së bashku me diasporën shqiptare.

“Nga Kosova deri në Hagë, mesazhi ynë do të jetë i njëjtë: KOSOVA PO PRET. Nga 16 shtatori, Kosova më nuk do të jetë njësoj”, deklaroi Tasholli.