Prokuroria në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish-Kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave, Burim Kelmendit dhe ish-koordinatorit në këtë Kompani. Kelmendi, sipas Prokurorisë, akuzohet për punësime të paligjshme, të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes gjithësej 114 mijë e 535 euro.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K., gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar dhe në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘’KRM Pastrimi’’, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit. I njëjti ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërkohë personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune”, thekson Prokuroria në komunikatën e saj.

Sipas Prokurorisë, këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit të Punës, duke mos shpallur konkurs publik dhe duke vazhduar më pas kontrata në fjalë.

“Po ashtu, i pandehuri ka nxjerrë aktvendime për avancimin e të punësuarve duke mos respektuar procedurat përkatëse të avancimit. Me këto veprime sipas aktakuzës, i është shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes në vlerë prej 114, 535.06 euro, ndërsa i pandehuri N.Rr. ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash lidhur me punësimin e disa personave”, shton Prokuroria.

“Ndërkaq, i pandehuri N.Rr. gjatë muajit mars 2021 në cilësinë e Koordinatorit në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ‘’Pastrimi’’ në Prishtinë, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se ka kërkuar dhe ka marrë shumën prej 1.500 euro, nga të dëmtuarit J.D., M.D., A.B., G.B., dhe R,N., për punësimin e tyre duke premtuar se do të ushtronte ndikim të kundëligjshëm në vendimmarrjen e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie”, bën të ditur Prokuroria.