Të paktën 11 persona janë vrarë në një sulm masiv me armë zjarri në një konvikt në Afrikën e Jugut.

Katërmbëdhjetë të tjerë u plagosën nga disa persona të armatosur që sulmuan vendin në lagjen Saulsville, në perëndim të kryeqytetit Pretoria, herët këtë të shtunën. Një fëmijë trevjeçar është mes viktimave.

“Të paktën tre persona të panjohur të armatosur hynë në këtë konvikt ku një grup njerëzish po konsumonin pije dhe filluan të qëllonin”, tha zëdhënësja e policisë, Brigadier Athlenda Mathe.

Motivi i sulmit mbetet i panjohur dhe ende nuk është bërë asnjë arrestim. Ky është sulmi më i fundit në valën e sulmeve masive me armë që kanë tronditur këtë vend të mbërthyer nga kriminaliteti vitet e fundit.

Persona të armatosur raportohet se hynë në ndërtesë në orën 04:30 me orën lokale (02:30 GMT) dhe hapën zjarr ndaj një grupi burrash që po pinin. Një djalë 12-vjeçar dhe një vajzë 16-vjeçare ishin mes të vrarëve në sulm.

“Mund të konfirmoj se gjithsej 25 persona u qëlluan,” tha Mathe.

Duke e përshkruar konviktin si një “shebeen (vend ku shitet alkool) të paligjshme”, ajo shtoi: “Kemi një sfidë serioze kur bëhet fjalë për këto ambiente të palicencuara dhe të paligjshme të shitjes së alkoolit,” ku, sipas saj, ndodh shumica e sulmeve masive me armë.

Afrika e Jugut ka një nga normat më të larta të vrasjeve në botë. 45 persona për 100,000 banorë, sipas të dhënave të viteve 2023–24 nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin.

Rreth 63 persona u vranë çdo ditë midis prillit dhe shtatorit, sipas të dhënave të policisë.