Prishtina edhe këtë të shtunë po mbushet me qytetarë që po protestojnë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Për të 11-tën natë radhazi, qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ku tubimi ka nisur nga ora 21:00 nën moton “Jo në emrin tim”.

Me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, protestuesit po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Tubimet e përnatshme janë zhvilluar në Prishtinë që nga 16 shtatori, kur u shpall aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Në total, dënimet arrijnë në 81 vjet burgim.

Ndërkohë, protestat janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Kosovës. Të premten, më 25 shtator, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së organizoi tubime në disa komuna, ku morën pjesë veteranë, familjarë dhe qytetarë.

Protestat e mbrëmjes në Prishtinë pritet të vazhdojnë çdo natë deri më 1 tetor, kur “Liria ka Emër” ka paralajmëruar një tubim më të madh në kryeqytet.