A po e përballoni më lehtë koston e jetesës pas qindra milionave që u shpërndanë nga qeveria përmes politikës së 100 eurove?

“Edhe sivjet nga 100 euro”, Albin Kurti.

Që nga dhjetori i vitit 2023 e deri në maj të vitit 2026, nga ky spektakël me para, sidomos para zgjedhjeve, janë shpenzuar rreth 300 milionë euro nga buxheti.

Numrat tregojnë se, megjithatë, ekonomia e Kosovës nuk ka përparuar. Kostoja e jetesës është rënduar. Në shtator të këtij viti, inflacioni vjetor arriti në 7.8 për qind, më i larti në Ballkan. Më së shumti u shtrenjtuan banimi, energjia, transporti, uji dhe shëndetësia.

Vendi vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar, duke mbetur një ekonomi importuese. Në vitin 2025, importet e Kosovës arritën në rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksportet në rreth 940 milionë euro. Nga janari deri në gusht të vitit 2026, vlera e importeve arriti në 4 miliardë e 970 milionë euro, ndërsa e eksporteve në 726 milionë euro.

Nafta, e cila është pjesë e një problemi global, ka qenë një nga katalizatorët kryesorë të rritjes së përgjithshme të çmimeve. Qeveria e Kosovës, për dallim nga shumë shtete në Evropë, refuzoi ta ulë akcizën.

“Që sa vjet jam kryeministër, gjithmonë keni kërkuar me raste të caktuara, herë hiqe akcizën, herë hiqe TVSH-në. Nuk e kam ba asnjanën, janë mbajtë zgjedhjet, kam fitu veç ma shumë. A e kuptoni?”, thoshte Albin Kurti më prill 2026.

Energjia ndërkaq mbetet barra më e rëndë për qytetarin dhe buxhetin e shtetit. Mungesa e investimeve në prodhim ka çuar në shpenzimin e miliona eurove për import. Nga janari i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2026, Kosova ka shpenzuar mbi 1 miliard euro për importin e energjisë elektrike.

“Energjia elektrike në Kosovë është ma e lira në Evropë”, tha Albin Kurti më 1 shkurt 2025.

Imagjinoni nëse ato 300 milionë për zgjedhje do të ishin investuar në prodhim të energjisë, ndërsa 1 miliardi i importit të rrymës në sektorë të tjerë prodhues.

Në dhjetor, ashtu siç e ka bërë ritual qeveria, është radha për 100 euro të tjera dhe për spektaklin propagandistik që shoqëron shpërndarjen e tyre.

Dhe sërish vlen pyetja e fillimit: A do t’ua bëjnë këto 100 euro jetën më të lehtë gjatë gjithë vitit?