Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka thënë se në Prokurorinë Speciale është intervistuar për kallëzimin penal për dyshimet për keqpërdorim me grante. Tha, se “ishte transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë”.

“Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, shkroi Peci në një postim në Facebook.

Peci bëri me dije se kallëzimi penal për rastin për të cili ai po hetohet ishte ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

VOX Kosova mëson se hetimet janë përqendruar edhe në dhënien e granteve për familjarë të deputetes së zgjedhur të VV-së, Fitore Pacolli, por edhe grante tjera që kanë lidhje me zyrtarë të afërt me Faton Pecin.

Burimet e VOX Kosova gjithashtu thanë se gjatë këtyre ditëve janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve edhe zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në nëntor të vitit 2024, ishte kuptuar se Ministria e Bujqësisë nën drejtimin e Faton Pecit u kishte dhënë grante dajës dhe vëllaut të Fitore Pacollit, e cila në atë kohë mbante pozitën e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.

Përveç saj, grant kishte fituar edhe Naim Huruglica, ish-këshilltar i Pecit.