Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbështetja financiare prej 100 eurosh për disa kategori të shoqërisë, të cilat u ndanë të premten nga Qeveria në detyrë, nuk e zgjidh problemin e kostos së jetesës me të cilin po përballen qytetarët.

“Këto para nuk e zgjedhin problemin, duhet ta zgjidhim, duhet të përballemi me problemin e standardit të jetës në vazhdimësi e jo një herë kur janë zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj në një intervistë në Debat Plus.

“Të mirëseardhura janë për qytetarët 100 euro dhe askush s’është kundër, 100 euro për secilin janë të vonuara dhe për fat të keq qytetarët i kanë borxh këto para. Si i kanë borxh? Çmimin e energjisë ia ka rritë aq shumë, i ka rritë krejt çmimet tjera”, shtoi ai.

Qytetarët, thotë ai, kanë “borxh shumë më shumë se këto, sepse kostoja e jetës është rritë aq shumë e njëkohësisht çmimet”.

“Gjendja e tashme me 100 euro e zgjidh vetëm problemin e një momenti kohor sikurse Kurti të mendonte në inflacion e në ndihmë ndaj qytetarëve do ta gjente një zgjidhje 100 euro çdo muaj”.

Kjo ndihmë e njëhershme, 100 euro, theksoi ai, “po e zëmë ia lehtëson inflacionin për 1 muaj apo dy tri javë, po çka pas 2-3 jave?”.

Për t’u përgjigjur më pas gazetari Ermal Panduri: “Vijnë zgjedhjet”. “Po e kuptova se tash është koha e zgjedhjeve… Kjo është një mjerim”, konsideron Haradinaj.

“Çka me bë”, pyet ai, “me disa që janë të papunë as në sektor publik as privat?”.

Për rritjen e shtesave për lehonat, Haradinaj potencon se është një veprim i vonuar. “500 euro për lehona është shumë e vonume. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, këta e ka bë qe 5 vjet. Një kryetar komune e ka ba qe 5 vjet për lehona”.