Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se vendimi i qeverisë për ndarjen e 100 eurove për studentët, pesë ditë para zgjedhjeve është “përpjekje e hapur për blerje vote”. Sipas Krasniqit, krejt ky veprim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, vjen nga “paniku i humbjes” që siç thotë ai po e pret në zgjedhje.

“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën. Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote”, shkroi Krasniqi.

Lideri i PDK-së ftoi studentët “që t’i marrin mjetet, por të përdorin votën për të ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”.