Bashar al-Assad po jeton në Moskë nën kufizime të rrepta të vendosura nga Rusia gati një vit pasi u largua nga Siria, me lëvizje të kufizuara dhe paraqitje publike të ndaluara, sipas disa raporteve, transmeton Euroneës.

Ish-presidenti sirian, i cili u arratis nga Damasku më 8 dhjetor 2024 kur forcat e udhëhequra nga tashmë presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, morën kontrollin e kryeqytetit, bëri vetëm një deklaratë publike tetë ditë pas largimit të tij.

Në atë deklaratë të 16 dhjetorit, al-Assad pretendoi se largimi i tij “nuk ishte i parapërgatitur” dhe se kishte ndërmend të vazhdonte luftën, por Moska këmbënguli në “tërheqjen e tij të menjëhershme”.

Që prej atëherë, al-Assad ka mbajtur pothuajse heshtje të plotë. Djali i tij i madh Hafez, i quajtur sipas babait të Basharit, pushtetin e të cilit trashëgoi, publikoi një video në mes të shkurtit duke e treguar duke ecur pranë Kremlinit, ku rrëfente largimin e nxituar të familjes nga Siria, por vetë al-Assad nuk ka bërë më asnjë deklaratë publike.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov konfirmoi në tetor se al-Assad dhe familja e tij jetojnë në Moskë, duke deklaruar se Rusia u dha atyre azil për arsye humanitare.
Rusia vendosi kushte të rrepta për qëndrimin e al-Assad-it kur i dha azilin në prill 2025, sipas ambasadorit rus në Irak, Elbrus Kutrashev. Al-Assad duhet të përmbahet nga të gjitha paraqitjet mediatike dhe aktivitetet politike, i tha Kutrashev Agjencisë së Lajmeve të Republikës Islamike.

Nga helmimi te video lojërat
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut pretendoi në shtator se al-Assad u shtrua në spital në gjendje kritike pas një helmimi të dyshuar. Grupi monitorues tha se ai kaloi nëntë ditë në një spital në periferi të Moskës përpara se të dilte më 29 shtator.
Lavrov i mohoi raportimet për helmim në tetor, duke thënë se al-Assad “nuk ka asnjë problem duke jetuar në kryeqytetin tonë”.

Shërbimet sekrete ruse e mbajnë al-Assad-in nën mbrojtje jashtëzakonisht të rreptë, tha Observatori Sirian me qendër në Mbretërinë e Bashkuar. Lëvizjet e tij janë shumë të kufizuara dhe ai ka ndaluar së foluri publikisht.

Gruaja e al-Assad-it, Asma, u diagnostikua me leucemi mieloide akute në maj 2024, njoftoi presidenca siriane. Ajo më parë kishte luftuar me kancerin e gjirit dhe u shpall e shëruar në vitin 2019.
Gazeta britanike The Telegraph raportoi në fund të dhjetorit 2024 se mjekët i dhanë asaj shanse 50/50 për mbijetesë, me burime që thoshin se ajo ishte në izolim në një spital në Moskë për të shmangur infeksionet.

E përjavshmja gjermane Die Zeit raportoi në tetor se al-Assad banon në distriktin modern financiar të Moskës, megjithëse vendndodhja e saktë mbetet e pakonfirmuar.
Apartamentet përshkruhen si njësi luksoze me tavane të larta, dritare nga dyshemeja në tavan dhe akses në qendra tregtare dhe restorante.

Një burim i afërt me familjen al-Assad i tha Die Zeit se familja posedon disa apartamente dhe herë pas here qëndrojnë në një vilë jashtë Moskës.
Burimi pretendoi se al-Assad “e kalon pjesën më të madhe të kohës duke luajtur lojëra video online” dhe ruhet nga truproja të një kompanie private sigurie të paguar nga qeveria ruse.

Midis viteve 2018 dhe 2019, regjimi i al-Assad-it transferoi rreth 250 milionë dollarë (237 milionë euro) në para të gatshme në Moskë, me të paktën 18 apartamente luksoze të blera nga anëtarë të klanit në qytet, sipas raporteve mediatike.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së vlerësoi pasurinë e familjes al-Assad në vitin 2022 mes 1 miliard (950 milionë euro) dhe 2 miliardë dollarë (1.9 miliardë euro), pasuri kjo e financuar nga “trafiku i armëve dhe drogës si dhe ekonomia e qirasë” përmes kompanive fantazmë (anglisht: off-shore).

Qeveria tranzitore e Sirisë nën al-Sharaa ka kërkuar ekstradimin e al-Assad-it për gjykim. Rusia ka refuzuar ta dorëzojë, me Kremlinin që pretendon se Presidenti Vladimir Putin i ka dhënë atij personalisht azil dhe se vendimi nuk do të ndryshohet.