Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars, Dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Vendimi është marrë pas kërkesës së Qeverisë e cila ka kontestuar kushtetutshmërinë e dekretit të kryetares së shtetit.

Sipas shkresave të lëndës të cilat janë publikuar në vendim, Qeveria e Kosovës, si parashtrues i kërkesës ka theksuar se “në këto rrethana ekziston një rrezik real dhe i menjëhershëm që, përpara se Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi themelin e kësaj çështjeje, të krijohen pasoja faktike dhe institucionale të cilat do të ishin jashtëzakonisht të vështira për t’u korrigjuar në rast se më vonë konstatohet se akti i kontestuar nuk është në përputhje me Kushtetutën”.
“Fillimi i procedurave për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të përfshinte një sërë veprimesh institucionale dhe administrative, duke filluar nga caktimi i datës së zgjedhjeve, aktivizimi i procedurave zgjedhore, mobilizimi i administratës zgjedhore, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe angazhimi i burimeve publike, të cilat, pasi të jenë ndërmarrë, do të krijonin një gjendje faktike që do të ishte tejet e vështirë të rikthehej në gjendjen e mëparshme kushtetuese”, ka theksuar Qeveria e Kosovës në kërkesën e saj.
Gjykata, për të arritur në verdiktin e saj, është bazuar në paragrafët 1 dhe 2 të rregullit 44 të Rregullorës së Punës të cilët flasin për kërkesën për masë të përkohshme dhe të cilët thonë:
1. Në çfarëdo kohe, përderisa Gjykata të mos ketë vendosur lidhur me një kërkesë, çdo palë mund të kërkojë vendosjen e masës se përkohshme lidhur me çështjen që është objekt i procedurës para saj, siç përcaktohet me nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit.
2. Gjykata po ashtu mund të vendosë masë të përkohshme ex-officio, lidhur me një çështje që është objekt i procedurës para saj, nëse konsideron se janë plotësuar kushtet për një gjë të tillë sipas neni 27 te Ligjit.
Masa do të jetë në fuqi deri më 31 mars 2026.