Mojtaba Khamenei, djali i Liderit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në sulmet amerikano-izraelite, është zgjedhur pasardhësi i tij.
Ndryshe nga i ati, 56-vjeçari ka mbajtur kryesisht një profil të ulët publik. Ai nuk ka mbajtur kurrë ndonjë post qeveritar, nuk ka mbajtur fjalime publike apo intervista, dhe vetëm një numër i kufizuar fotografish dhe videosh të tij janë publikuar ndër vite.
Megjithatë, sipas BBC, prej vitesh kanë qarkulluar zëra se ai ushtronte ndikim të konsiderueshëm prapa skenës në Iran.
Kabllogramet diplomatike amerikane, të publikuara nga ËikiLeaks në fund të viteve 2000, e përshkruanin atë si “pushtetin pas rrobave fetare”, një figurë që konsiderohej gjerësisht “e aftë dhe e vendosur” brenda regjimit, sipas agjencisë së lajmeve AP.
BBC shkruan se zgjedhja e tij mund të rezultojë ende kontroverse. Republika Islamike u themelua në vitin 1979 pas rrëzimit të monarkisë dhe ideologjia e saj bazohet në parimin që Udhëheqësi Suprem duhet të zgjidhet për autoritetin e tij fetar dhe për lidershipin e dëshmuar, jo përmes trashëgimisë familjare.
Gjatë sundimit të tij, Ali Khamenei foli vetëm në mënyrë të përgjithshme për udhëheqjen e ardhshme të Republikës Islamike.
Një anëtar i Assembly of Experts – organi klerikal që zgjedh Udhëheqësin Suprem – kishte deklaruar dy vite më parë se Ali Khamenei ishte kundër idesë që djali i tij të ishte kandidat për udhëheqjen e ardhshme. Megjithatë, ai kurrë nuk i kishte adresuar publikisht këto spekulime.
Kush është Mojtaba Khamenei?
I lindur më 8 shtator 1969 në qytetin verilindor Mashhad, Mojtaba është i dyti nga gjashtë fëmijët e Ali Khameneit. Arsimin e mesëm e mori në shkollën fetare Alavi në Tehran.
Në moshën 17-vjeçare, Mojtaba shërbeu për periudha të shkurtra në ushtri gjatë luftës Iran-Irak, sipas mediave iraniane. Konflikti i përgjakshëm tetëvjeçar e bëri regjimin edhe më dyshues ndaj SHBA-së dhe Perëndimit, të cilët mbështetën Irakun.
Në vitin 1999, Mojtaba shkoi në Qom, një qytet i shenjtë që konsiderohet qendër e rëndësishme e teologjisë shiite, për të vazhduar studimet fetare. Vërehet se ai nuk kishte veshur rrobat klerikale deri në atë kohë dhe nuk është e qartë pse vendosi të hyjë në seminar në moshën 30-vjeçare, pasi zakonisht kjo bëhet në moshë më të re.
Mojtaba mbetet një klerik i rangut të mesëm, gjë që mund të paraqesë një pengesë për pranimin e tij si Udhëheqës i ri Suprem, thekson BBC.
Para se të zgjidhej, disa media dhe zyrtarë pranë qendrave të pushtetit në Iran filluan t’i referoheshin Mojtaba Khameneit si “Ajatollah”, një titull i lartë klerikal. Ky ndryshim iu duk disa vëzhguesve si një përpjekje për të ngritur statusin e tij fetar dhe për ta paraqitur si një lider të besueshëm.
Në sistemin e seminareve fetare, mbajtja e titullit “Ajatollah” dhe dhënia e leksioneve të avancuara konsiderohen tregues të nivelit akademik dhe dijes së një personi dhe janë ndër kushtet për një udhëheqës të ardhshëm.
Megjithatë, ekziston një precedent për këtë. Babai i tij, Ali Khamenei, u promovua shpejt në rangun “Ajatollah” pasi u bë udhëheqësi i dytë suprem i Iranit në vitin 1989.
Akuza për ndërhyrje politike
Emri i Mojtabës u bë publik për herë të parë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2005, të cilat përfunduan me fitoren e Mahmoud Ahmadinejad, një populist i linjës së ashpër.
Në një letër të hapur drejtuar Khameneit, kandidati reformist Mehdi Karroubi e akuzoi Mojtabën për ndërhyrje në votim përmes elementëve të Gardës Revolucionare të Iranit dhe milicisë Basij, të cilat shpërndanë para te grupe fetare për të ndihmuar Ahmadinejadin të fitonte.
Katër vite më vonë, Mojtaba u përball përsëri me të njëjtën akuzë. Rizgjedhja e Ahmadinejadit shkaktoi protesta masive në gjithë Iranin. Disa protestues brohoritën slogane kundër idesë që Mojtaba të pasonte babanë e tij si udhëheqës suprem i Iranit.
Mostafa Tajzadeh, atëherë zëvendësministër i brendshëm, e përshkroi rezultatin si një “grusht shteti elektoral”. Ai u burgos për shtatë vite, gjë që ia atribuoi “dëshirës së drejtpërdrejtë të Mojtaba Khameneit”.
Dy kandidatë reformistë, Mir-Hossein Mousavi dhe Mehdi Karroubi, u vendosën në arrest shtëpiak pas zgjedhjeve të vitit 2009. Në shkurt 2012, Mojtaba u takua me Mousavin dhe i kërkoi të hiqte dorë nga protestat, sipas burimeve iraniane të BBC.
Sfida e udhëheqjes
Tani, si udhëheqës i ri suprem i Iranit, shumëkush pret që Mojtaba të vazhdojë politikat e ashpra të babait të tij, shkruan tutje BBC.
Disa gjithashtu besojnë se një njeri që ka humbur babanë, nënën dhe bashkëshorten në sulmet amerikano-izraelite nuk ka gjasa t’i nënshtrohet presionit të Perëndimit.
Por, ai përballet edhe me detyrën e vështirë për të siguruar mbijetesën e Republikës Islamike dhe për të bindur publikun se është personi i duhur për ta nxjerrë vendin nga shkatërrimi politik dhe ekonomik.
Rekordi i tij në udhëheqje mbetet kryesisht i paprovuar dhe perceptimi se republika po shndërrohet në një sistem trashëgimor mund ta thellojë edhe më shumë pakënaqësinë publike.
Mojtaba tani është një objektiv i shënuar. Ministri i mbrojtjes i Israel tha javën e kaluar se kushdo që do të zgjidhej pasardhës i Ali Khameneit do të ishte “një objektiv i qartë për eliminim”.