Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish lidhur me përgjegjësinë e tij si numri një i partisë, pas debaklit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Abdixhiku ka thënë se e ka ofruar dorëheqjen, por se vendimin nëse ai do të largohet apo jo ia ka lënë partisë.
“Kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, ka deklaruar ai.
Ky deklarim vjen pas njoftimit të Hykmete Bajramit se ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së partisë dhe se ka kërkuar edhe dorëheqjen e Abdixhikut.
Kryetari i LDK-së ka thënë po ashtu se për të gjitha çështjet do të vendosë Kuvendi i partisë, duke bërë thirrje që deri atëherë të mos debatohet publikisht për këtë temë.
“Le ta presim Kuvendin. Le ta mbajmë debatin brenda shtëpisë sonë, me orë të tëra, me ditë të tëra po qe nevoja. Jemi të njohur për demokraci dhe liri veprimi. Le të sillemi me përgjegjësi. Sepse LDK nuk është reagim i çastit, nuk është as protagonizëm i ditëve të vështira; edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartrokitjeve të kundërshtarëve. LDK është institucion”, tha ai.
“Ta keni të qartë. Jo sot, jo dje, por gjithmonë: fatin tim politik e vendos përballë LDK-së, jo mbi LDK-në. Dhe çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, do ta respektoj me nder dhe qetësi. Deri atëherë, le të sillemi si mbrëmë e si deri tash, pa dramë e pa protagonizëm, ballëhapur e me dinjitet”.