Hykmete Bajrami e ka konfirmuar dorëheqjen e saj të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo, në një deklaratë të saj, ka thënë se ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
“Dje, në mbledhjen e LDK-së, kam kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se pas rezultatit të zgjedhjeve, lidershipi i partisë e ka humbur legjitimitetin.
“Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, deklaroi Bajrami.