PARA NË KOHË LUFTE Parku në Mianmar ku mashtrimi i botës ishte biznesi

Kur mashtruesit u merrnin 5.000 dollarë dikujt, ata godisnin një gong kinez.

PARA NË KOHË LUFTE Parku në Mianmar ku mashtrimi i botës ishte biznesi

Në një zonë lufte të Azisë Juglindore, e mbuluar nga një pyll i dendur tropikal, vendbanimi kinez i dedikuar për mashtrim të njerëzve nga Kentucky deri në Kazakistan u rrit me shpejtësi.

Brenda vetëm pak muajsh, një park i madh zyrash u shfaq dhe u përhap në mënyrë metastatike në zonat kufitare kaotike të Mianmarit, me salla gjigante që mbanin radhë monitorësh kompjuterikë dhe mure të dekoruara me slogane frymëzuese pune: “Ndjekës i ëndrrave”, “Vazhdo përpara”, “Fitimi i parave ka më shumë rëndësi se gjithçka”.

Në sallat e videokonferencave, raftet me libra të rremë biznesi dhe art modern fals simulonin llojin e sallës së bordit që mund të kishte një investitor i suksesshëm në kriptomonedha.

Qendra e mashtrimeve, Shunda Park, hapi aktivitetin në vitin 2024 me më shumë se 3.500 punëtorë nga gati 30 shtete, përfshirë Namibinë, Rusinë, Zimbabvenë dhe Francën, shkruan New York Times.

Disa ishin rrëmbyer dhe skllavëruar, por të gjithë ishin bërë të aftë në artin e mashtrimit online.

Kur mashtruesit u merrnin 5.000 dollarë dikujt, ata godisnin një gong kinez. Një zhvatje prej 50.000 dollarësh shoqërohej me rrahjen festive të një daulleje gjigante dhe më pas me një ofertë për një hyjni kineze, që shkëlqente në altarin e tij të artë.

Çdo kombësi kërkonte një qasje të ndryshme – për amerikanët, tha një mashtrues, shënjestra e preferuar ishin “burra të moshuar të bardhë” – qasja e përgjithshme ishte e njëjtë: një kontakt online nga një person simpatik dhe tërheqës, i ndjekur nga një ftesë për të marrë pjesë në një mundësi ekskluzive investimi.

Viktimat nuk ishin vetëm zemra të vetmuara apo pensionistë të pasigurt teknologjikisht. Duke përdorur inteligjencë gjenerative dhe video “deepfake”, si edhe biznese, faqe interneti dhe aplikacione financiare të rreme, mashtruesit në Shunda përqafuan manipulimin afatgjatë dhe tërhoqën njerëz nga pothuajse çdo shtresë shoqërore.

Por në fund të nëntorit, Shunda Park u pushtua papritur nga një forcë rebele që prej kohësh ishte në konflikt me ushtrinë e Mianmarit, grushti i shtetit i së cilës gati pesë vjet më parë e hodhi këtë vend të Azisë Juglindore në luftë civile dhe krijoi një hapësirë kaotike ku kriminaliteti lulëzoi.

Me miliona njerëz që bien viktimë e zhvatjeve online çdo vit, industria e mashtrimeve kibernetike është rritur shpejt dhe është shndërruar në një nga sipërmarrjet kriminale më fitimprurëse në planet, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2024, të paktën 10 miliardë dollarë u vodhën përmes mashtrimeve kibernetike të drejtuara nga Azia Juglindore, tha Departamenti Amerikan i Thesarit.

Kjo shifër ka gjasa të jetë vetëm një pjesë e dëmit të vërtetë, pasi viktimat shpesh ndihen shumë të turpëruara për të pranuar se janë mashtruar.

Në fund të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara krijuan task-forcën e tyre të parë federale për të luftuar qendrat e mashtrimit dhe rrjetet kriminale transnacionale kineze që, sipas hetuesve amerikanë, i drejtojnë ato.

Junta e Mianmarit, e cila ka burgosur anëtarë të një qeverie të zgjedhur dhe ka vrarë mijëra civilë, u zotua së fundmi të përballet me rrjetet e mashtrimit.

Por goditja e saj aktuale duket si një ushtrim Potemkin. Fitimet globale nga mashtrimet online rivalizojnë prodhimet e brendshme bruto të vendeve ku fabrikat e mashtrimit janë përhapur, përfshirë Mianmarin, Kamboxhën dhe Laosin.

Këto të ardhura të paligjshme nuk mbushin vetëm xhepat e bandave, shumica e të cilave janë me origjinë nga Kina; paratë e pista rrjedhin edhe drejt elitave të fuqishme në gjithë rajonin — mbi të gjitha, thonë vëzhguesit e krimit, drejt njerëzve me pushtet në shtetin e dështuar dhe të përfshirë në konflikt të Mianmarit.

Shunda Park, e rrethuar me tela me gjemba, i ngjante një skene filmi apokaliptik. Mes blloqeve të bardha të zyrave, restoranteve kineze dhe vilave luksoze të rezervuara për shefat kinezë të kompleksit, digjeshin zjarre që përpinin mjetet e ekonomisë së paligjshme.

Grumbuj pajisjesh elektronike — tastiera, lëmsh kabllosh dhe mijëra telefona celularë — mbulonin vendin. Në disa ndërtesa, pothuajse në çdo hap, karta SIM, të shpërndara si borë në vapën tropikale.

Ndërsa anëtarët e milicisë Karen dorëzonin në Tajlandë plot prova për policinë, së bashku me një burrë të identifikuar si shefi kinez i kompleksit, asnjë përfaqësues i qeverive të huaja apo i shërbimeve të inteligjencës nuk kishte ardhur në Shunda Park për të hetuar.

Tani luftimet janë intensifikuar dhe të gjithë punëtorët e Shunda Park janë shpërndarë. Prova të tjera të mashtrimeve janë djegur.

“Po bëjmë më të mirën, por ne nuk jemi ekspertë të mashtrimeve,” tha Padoh Saw Taw Nee, zëdhënësi i krahut politik të Ushtrisë Kombëtare Çlirimtare Karen, ndërsa shfletonte një bllok shënimesh me udhëzime se si të mashtroheshin gra tajvaneze të moshës së mesme.

“Nuk na pëlqen që toka jonë të njihet si vendi ku kriminelët mashtrojnë njerëzit”.

Shtresat e viktimizimit në një vend si Shunda Park janë komplekse. Shumë nga mashtruesit që punuan këtu thonë se edhe ata vetë u mashtruan.

Ata mbërritën në Tajlandën fqinje duke menduar se ishin punësuar për punë të paguara mirë në teknologji ose marketing. Të tjerë mendonin se po kontrollonin mallra për biznese shitjesh online. Në vend të kësaj, u detyruan me armë në dorë të kalonin lumin që shënon kufirin me Mianmarin.

Shumw prej mashtruesve kanw shenja dhune nw trup. Ata nuk morën kurrë pagesë për turnet e tyre 12-orëshe. Jeta ishte një cikël sizifian: fli, ha, mashtro, ha, fli, mashtro.

Kason, një 22-vjeçar nga Malajzia që identifikohet vetëm me emrin e tij të parë, tha se kishte pësuar vetëm dy rrahje “të forta”. Por këmbët dhe trungu i trupit të tij ishin të kryqëzuara me shenja prerjesh nga ajo që ai i quajti “shumë, shumë” rrahje më të vogla.

Puna e tij për më shumë se një vit ishte të dërgonte “përshëndetje” të pafundme në eterin e rrjeteve sociale. Nëse nuk merrte përgjigje nga të paktën 5 për qind e përshëndetjeve, atëherë ndëshkohej fizikisht, tha ai.

Ivan, një malajzian që dikur kishte punuar si pjesë e stafit tokësor në aeroportin e Singaporit, tha se ishte lidhur me zinxhirë në një pozicion kryqëzimi dhe i ishte mohuar ushqimi për ditë të tëra.

“Ti mendon se e njeh ferrin,” tha ai, “por në të vërtetë është edhe më keq.”

Në një nga dhomat e punës të Shunda Park, kukulla me kokë që tundej dhe shufra ari të rreme gjallëronin hapësirën. Përpara, pranë një statuje të një zoti kinez që adhurohej nga gangsterët, ndodheshin tre kuti të ngjashme me tualete portative, që mashtruesit thanë se përdoreshin si dhoma ndëshkimi, në sy të gjithë të tjerëve. Gjetkë në kompleks, pas një restoranti barbekju, një radhë qelish torture prej betoni ishte e pajisur me hekurishte dhe pranga.

Jo të gjithë punëtorët në Shunda kishin përfunduar aty kundër vullnetit të tyre. Shumë nga punonjësit kinezë në Shunda Park merrnin paga, siç tregojnë të dhënat e një zyre financiare. Një kompani e quajtur Huisheng International, për shembull, kishte grumbuj faturash page, formularë lejeje mjekësore dhe teste mjekësore për H.I.V. dhe sifiliz, mes sëmundjeve të tjera, të gjitha të shkruara në kinezçe.

Punonjësit identifikoheshin me pseudonime si “Dragoi Lindor” ose “Li i Vogël”. Kontratat në zyrë përcaktonin se punëtorët do të ishin të lidhur me ligjin e punës së Mianmarit.

Ndërsa shumica e punëtorëve të Shunda Park u transportuan drejt njw vendi tw sigurt përmes Tajlandës, rreth 900 punëtorë kinezë refuzuan të largoheshin për më shumë se dy javë, pavarësisht se kompleksi ndodhej në mes të një zone aktive konflikti.

Qeveria kineze ka ndërmarrë herë pas here goditje ndaj industrisë së mashtrimeve, duke arrestuar punëtorë kinezë që riatdhesohen.

Situata ishte aq e tensionuar sa, disa ditë para vizitës sw New York Times, disa punëtorë kinezë kishin tentuar pa sukses t’u merrnin armët ushtarëve Karen, sipas anëtarëve të milicisë dhe mashtruesve të tjerë që panë përleshjen.

Të gjithë përveç një burri kinez në kompleks refuzuan të flisnin. Mashtruesit mbulonin fytyrat me duar ose me maska. Punëtori i vetëm që pranoi të fliste tha se i ishte premtuar një pagë prej 30.000 juanësh në muaj, ose 4.250 dollarë. Por pasi mbërriti, tha ai, mori vetëm 30.000 baht tajlandezë në muaj, ose 940 dollarë. Të dhënat në zyrën financiare tregonin paga bazë në atë shumë.

“Më mashtruan,” tha ai për punëdhënësit e tij. Zhurma e granatimeve ndërpriste bisedën tonë.

Ushtria e Mianmarit duket e vendosur ta rimarrë Shunda Park, edhe pse po hedh në erë ndërtesa në qendra të tjera mashtrimi për të treguar se është e ashpër ndaj krimit.

Punëtorët në ato vende të bastisura, të drejtuara gjithashtu nga rrjete kriminale kineze, thonë megjithatë se goditjet janë vetëm për sy e faqe.

Në fakt, disa nga punëtorët e Shunda thanë se sapo kishin ardhur nga këto komplekse të “pastruara”.

Me sanksionet ndërkombëtare që po rëndojnë, gjeneralët e Mianmarit, të mbështetur nga aleatë biznesi dhe milici miqësore, kanë përqafuar ekonomitë e paligjshme, duke e kthyer vendin në një kryeqendër globale të krimit.

Jashtë komplekseve të mashtrimit, jeta është e varfër dhe e pasigurt. Ushtria e Mianmarit lëshon rregullisht sulme ajrore rreth Shunda Park dhe në pjesën tjetër të vendit, duke shënjestruar civilë.

Më shumë se 3,5 milionë njerëz në mbarë vendin janë tani të zhvendosur.

Në fshatin tjetër, në një zonë ku kishte sunduar një grup i armatosur etnik i lidhur me juntën, u panw radhë të tjera qendrash mashtrimi që po ndërtoheshin, me fenerë të kuq kinezë të varur në strehë.

Punëtorë kinezë endeshin në kantier, me këmisha të hequra nga vapa.


Disa ditë më vonë, rreth 900 punëtorët kinezë u larguan nga Shunda. Disa kaluan kufirin drejt Tajlandës. Por shumica u drejtuan për në komplekse të tjera kineze në zonat e egra të Mianmarit, ku mashtruesit janë të zënë duke gjetur viktimat e tyre të radhës.

LAJME

Kriza energjetikeImport i lartë, mungesë prodhimi dhe zgjidhjet afatgjata që i refuzoi Qeveria Kurti

STILI I RI Abdixhiku nuk jep dorëheqje – e ofron atë  

PËRGJEGJËSIA PËR REZULTATIN “Standardi i vendosur” – Hykmete Bajrami tregon pse kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut dhe u largua vetë

FAKT YOU

MJESHTËRIA E HUMBJES Si po ia mundëson Lumir Abdixhiku fitoret mbi 50% Albin Kurtit

Ekskluzive EKSKLUZIVE

QOSHEVE ME FASHIZMIN Edhe Xhelal Sveçla takohej me ministrin e Vuçiçit dhe ekstremisten serbe në Zvicër

E PABESUESHME Albin Kurti duke bërë thirrje publike për shkelje kolektive të ligjit nga shtetasit e Kosovës

DHOMA SPECIALE

KARMA SPECIALE Jack Smith e Nicolas Guillou – nga përndjekës të UÇK-së në të hetuar e sanksionuar nga SHBA-të

GODITJE SMITHIT “U mësua në Hagë…” – Washington Post editorial për qëndrimet e pakëndshme të Jack Smith-it për “fjalën e lirë”

WOW JACK FBI zbulon se Jack Smith pagoi “dëshmitarë” kundër Trumpit – ngjashëm akuzohet se bëri kundër UÇK-së

INTERVISTA

NDËRHYRJA E MUJKËS Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve: S’je ka sqaron sen, veç po thua s’e di edhe s’më kujtohet

“A shkelet ligji për Faruk Mujkën?” Lirim Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve, Ismail Dibranin

Ekskluzive Si u bë shef militanti i Vetëvendosjes/ përfshirja e Albulena Haxhiut, flet në detaje Drejtori i Burgjeve, Ismail Dibrani