IA RENDIT SHKELJET Avokati i popullit letër Trendafilovës: Pranim i provave nga Serbia, shqetësim serioz ligjor

Në letër, Qelaj ka përmendur provat nga Serbia që i ka pranuar Specialja, për të cilat thotë se ngrehin shqetësime serioze “si për ligjshmërinë e tyre, ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”.

IA RENDIT SHKELJET Avokati i popullit letër Trendafilovës: Pranim i provave nga Serbia, shqetësim serioz ligjor

Ekaterina Trendafilova

Naim Qelaj, Avokati i Popullit, i ka drejtuar një letër me plotë shqetësime Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në lidhje me mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në letër, Qelaj ka përmendur provat nga Serbia që i ka pranuar Specialja, për të cilat thotë se ngrehin shqetësime serioze “si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”.

Aty thuhet se procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara “shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, në veçanti të së drejtës për gjykim të drejtë”.

“Këto mangësi janë të dukshme në disa dimensione. Në veçanti, Zyra ime ka vërejtur se të dy grupet e personave të akuzuar duket se janë monoetnike në përbërje. Kjo rrethanë, së bashku me mënyrën se si është ushtruar deri më tani juridiksioni, ngre shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Është veçanërisht shqetësuese që juridiksioni duket se është zbatuar pothuajse ekskluzivisht në mënyrë monoetnike, pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm për opinionin publik vendor apo ndërkombëtar lidhur me bazën faktike, ligjore dhe juridiksionale që e arsyetojnë një selektim të tillë”, theksohet aty.

Dicka që për të ka qenë e pazkontë për 20 vjet përvojë profesionale, Qelaj i ka thënë Trendafilovës së është refuzimi nga Specialja i pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja.

“Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve”.

Shqetësime ka shprehur edhe sa i përket mënyrës se si Dhomat e Specializuara e trajtojnë paraburgimin.

“Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore”.

Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, sipas tij, i mungon “një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve (duke marrë parasysh gjithashtu praninë e konsiderueshme të Misionit të EULEX-it në Kosovë)”.

Për më tepër, Qelaj konsideron se monitorimi i komunikimeve dhe vizitave familjare, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet tjera të lidhura me paraburgimin e zgjatur “ngritin shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore”.

“E kam të vështirë të gjej ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare”.

Letra e plotë e Qelajt për Trendafilovën:

E nderuara znj. Trendafilova,

Më lejoni fillimisht t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona. Këtë e bëj duke qenë i vetëdijshëm plotësisht se ky bashkëpunim zhvillohet në një kontekst sfidues dhe jo gjithmonë në kushte të mirëkuptimit të plotë reciprok. Megjithatë, e vlerësoj komunikimin tonë të vazhdueshëm si dëshmi të një përkushtimi të përbashkët ndaj angazhimit, transparencës dhe dialogut institucional.

Po ju drejtohem për t’ju paraqitur shqetësimet e mia fillestare dhe parimore lidhur me përputhshmërinë e procedurave para Dhomave të Specializuara me të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe, kur është e aplikueshme, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila përbën burim të brendshëm të së drejtës në përputhje me nenin 53 të Kushtetutës. Kjo letër është qëllimisht e kufizuar në fushëveprim dhe trajton çështje parimore, pa ofruar një vlerësim të detajuar apo shterues, e të cilin Zyra ime vazhdon ta bëjë ndaras.

Fillimisht, më duhet të ritheksoj konkluzionin tim paraprak se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet vendore të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, në veçanti të së drejtës për gjykim të drejtë. Këto mangësi janë të dukshme në disa dimensione. Në veçanti, Zyra ime ka vërejtur se të dy grupet e personave të akuzuar duket se janë monoetnike në përbërje. Kjo rrethanë, së bashku me mënyrën se si është ushtruar deri më tani juridiksioni, ngre shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Është veçanërisht shqetësuese që juridiksioni duket se është zbatuar pothuajse ekskluzivisht në mënyrë monoetnike, pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm për opinionin publik vendor apo ndërkombëtar lidhur me bazën faktike, ligjore dhe juridiksionale që e arsyetojnë një selektim të tillë.

Kjo situatë bëhet edhe më befasuese kur marrim parasysh se financimi i Dhomave të Specializuara buron nga një Veprim i Përbashkët i Këshillit të Bashkimit Evropian, një institucion i cili, në bazë të traktateve themeluese dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, është i detyruar t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë edhe në kuadër të veprimit të tij të jashtëm.

Gjithashtu dëshiroj të tërheq vëmendjen ndaj disa mangësive themelore procedurale të vërejtura në zhvillimin e procedurave para Dhomave. Me mbi njëzet vite përvojë profesionale si avokat mbrojtës, them se është jashtëzakonisht e pazakontë, dhe thellësisht shqetësuese, të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja. Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve.

Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese.

Së dyti, kam vërejtur mbështetje të gjerë në materiale të paraqitura si “libra të botuar” që trajtojnë situatën në Kosovë. Sipas vlerësimit tim, këto botime kanë një prag të ulët kredibiliteti dhe nuk do të duhej të pranoheshin si burime të besueshme prove në procedura gjyqësore. Trajtimi i tyre si materiale provuese është ne kundërshtim me standardet themelore të neutralitetit dhe integritetit provues.

Së fundi, dua të ritheksoj shqetësimet e mia të thella lidhur me mënyrën se si Dhomat trajtojnë paraburgimin. Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, i mungon një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve (duke marrë parasysh gjithashtu praninë e konsiderueshme të Misionit të EULEX-it në Kosovë). Për më tepër, monitorimi i komunikimeve dhe vizitave familjare, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet tjera të lidhura me paraburgimin e zgjatur ngritin shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore. E kam të vështirë të gjej ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Ky vëzhgim paraqitet në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit konstruktiv. Nga këndvështrimi im, është plotësisht në përputhje me parimin e mbështetjes së ndërsjellë dhe synojnë të plotësojnë, e jo të dyfishojnë, përpjekjet e ndërmarra nga Ombudsman-i i institucionit tuaj. Prandaj, kërkoj që kjo letër të kuptohet si një nismë monitoruese që synon mbrojtjen e të drejtave themelore, të cilat përbëjnë garanci bazike dhe të pa-nënshtrueshme sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Zyra ime mbetet e përkushtuar për t’i shqyrtuar më tej këto çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse, parimore dhe objektive. Ne shprehim besimin tonë të vazhdueshëm se Gjykata do të sigurojë respektim të plotë të standardeve të të drejtave të njeriut dhe do të garantojë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm në mënyrë të besueshme.

Sinqerisht,

Naim Qelaj

Avokat i Popullit

LAJME

MJESHTËRIA E HUMBJES Si po ia mundëson Lumir Abdixhiku fitoret mbi 50% Albin Kurtit

S’LARGOHET VETË Abdixhiku: Për dorëheqjen time vendos Kuvendi i LDK-së

Ekskluzive EKSKLUZIVE

QOSHEVE ME FASHIZMIN Edhe Xhelal Sveçla takohej me ministrin e Vuçiçit dhe ekstremisten serbe në Zvicër

FAKT YOU

MJESHTËRIA E HUMBJES Si po ia mundëson Lumir Abdixhiku fitoret mbi 50% Albin Kurtit

Ekskluzive EKSKLUZIVE

QOSHEVE ME FASHIZMIN Edhe Xhelal Sveçla takohej me ministrin e Vuçiçit dhe ekstremisten serbe në Zvicër

E PABESUESHME Albin Kurti duke bërë thirrje publike për shkelje kolektive të ligjit nga shtetasit e Kosovës

DHOMA SPECIALE

KARMA SPECIALE Jack Smith e Nicolas Guillou – nga përndjekës të UÇK-së në të hetuar e sanksionuar nga SHBA-të

GODITJE SMITHIT “U mësua në Hagë…” – Washington Post editorial për qëndrimet e pakëndshme të Jack Smith-it për “fjalën e lirë”

WOW JACK FBI zbulon se Jack Smith pagoi “dëshmitarë” kundër Trumpit – ngjashëm akuzohet se bëri kundër UÇK-së

INTERVISTA

NDËRHYRJA E MUJKËS Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve: S’je ka sqaron sen, veç po thua s’e di edhe s’më kujtohet

“A shkelet ligji për Faruk Mujkën?” Lirim Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve, Ismail Dibranin

Ekskluzive Si u bë shef militanti i Vetëvendosjes/ përfshirja e Albulena Haxhiut, flet në detaje Drejtori i Burgjeve, Ismail Dibrani