Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiç, ka thënë se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është diskutuar në një takim të brendshëm të Qeverisë, në të cilin ndër pikat e para të rendit të ditës ka qenë “se si të formohet një statut për të”. Ai në intervistën dhënë për “Radio Gorozhdeci” ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ka thënë asnjëherë se “Asociacioni nuk do të formohet”, por që pikëpyetje është se “kur do të formohet”.
“Kjo kurrë nuk ka qenë e kontestuar, madje as nga kryeministri Kurti, kurrë nuk ka qenë e kontestuar se kjo do të jetë e diskutueshme dhe se nuk do të formohet. Por është trajtuar kur do të formohet. E tani unë mund t’ju them këtë, atë një pjesë, që në këtë mandat tani, një nga pikat e para, kemi pasur një, ashtu, takim operativ brenda qeverisë që, mendoj, ka të bëjë para së gjithash me organizimin e brendshëm, por gjithashtu edhe me disa qëllime strategjike. I pari është, ky, ai qëllim, ishte pika e parë në rend dite, ishte pikërisht ajo që ju thatë(Asociacioni)”, tha Rashiç.
Rashiç shtoi se “Asociacioni do të inkorporohet në sistemin e drejtësisë së Kosovës” dhe si i tillë, statuti do të duhej të “mësohej përmendësh” nga bashkë-shtetasit e tij.
Në një deklaratë dhënë në po të njëjtin emision ku ishte i ftuar, Rashiç tha se 24 hektarë tokë, Kurti ia dha Manastirit të Deçanit “hatri i tij”, pas disa vjet insistimesh.
“Do të them, ndoshta pa u bërë modest, por kjo ndodhi falë insistimit tim të vazhdueshëm. Gjatë viteve kam shpjeguar pse është e rëndësishme. Në fund, kryeministri më ftoi para seancës së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por të dish – për ty”, ka thënë Rashiç.
Një ditë më vonë, pas shumë reagimeve Rashiç dhe Vetëvendosje thanë se ministri “e ka ngatërruar deklaratën e tij”.