Sikur të pyetej Jack Smith, ish Kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dënoheshin me burgim të përjetshëm.
Ky nuk është një pretendim.
Këtë e ka thënë fjalë për fjalë vetë Jack Smith, në një takim me Ambasadorët e Bashkimit Europian, në dhjetor të vitit 2020.
Kjo frazë e pabesueshme ndodhet brenda këtij dokumenti, që përmbledh minutat e atij takimi.
“Thaçi, Veseli dhe të tjerët do të marrin dënim me burgim të përjetshëm nga Gjykata për krimet që kanë kryer”, deklaron Smith.
Ai nuk thotë – “kërkoj”, as “mendoj”, as “besoj”. Por, thotë: “do të marrin dënim me burgim të përjetshëm”. Pra, nuk flet si një Prokuror që kërkon dënimin, por flet si një Gjyqtar që jep vendimin.
Edhe më absurde, Smith ka folur për dënim të përjetshëm vetëm një muaj pasi ishin arrestuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, dhe pa nisur fare procesi gjyqësor, pa u dëgjuar dëshmitarët, e pa u përballur me argumentet e ekipeve mbrojtëse.
Çfarë është edhe më e papranueshme, këtë deklaratë Smith e ka bërë në prezencën e Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, gjithashtu e pranishme në takimin me Ambasadorët.
Fakti që Trendafilova cakton panelet e gjyqtarëve, kjo deklaratë e Smith para saj është prova për një sinjal të qartë se çfarë pritej nga gjyqtarët të vendosin.
Një përzierje e qartë dhe skandaloze midis Prokurorisë dhe Gjykatës.
Kjo është vetëm një nga dëshmitë për qasjen politike që ka shfaqur Gjykata Speciale, prej se ka nisur funksionimin e saj. Frikë kjo e shprehur edhe nga populli i Kosovës, kur në fillim të procesit gjyqësor marshoi në rrugët e Prishtinës – duke i kërkuar Gjykatës “drejtësi, jo politikë”.
Ky, pra, është Jack Smith. Një figurë që përplas drejtësinë me politikën. I akuzuar për mënyrën se si ka ndjekur çështje që përfshijnë politikanë të kalibrit të lartë.
Së pari, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit iu lëshua njoftimi për aktakuzë teksa ai po udhëtonte për në SHBA për një marrëveshje që po e priste në tavolinën e Presidentit Amerikan, Donald Trump.
Për këtë, Trump, duke e quajtur Smith-in si një “bandit urrejtës i Trump-it” dhe “egërsirë e padrejtësisë”, i kishte pasur dy fjalë, në një postim në rrjetin e tij social.
“Si Prokuror në Europë, e burgosi një zyrtar të lartë sepse ishte person miqësor me Trump-in”.
E kishte fjalën për Hashim Thaçin.
Më vonë, edhe vetë Trump u bë cak i sulmeve dhe i akuzave nga Jack Smith, në kohën e fushatës elektorale.
“Sot, një aktakuzë u shpalos që ngarkon Donald J. Trump”.
Në të dyja rastet, Smith konsiderohet si “përndjekës” dhe si një Prokuror që përdor drejtësinë si armë për t’i goditur politikisht.
“I çmenduri Jack Smith… Ai është një person i çmendur. Ndodhi që ai është vënë pas meje”.
Krejt në fund, për hir të një krahasimi, kur Smith e përndoqi Trump-in, amerikanët e mbështetën si kurrë më parë, edhe e rikthyen President.
Po në Kosovë, çfarë po bëjnë qytetarët kur po u përndiqet Presidenti? Po u kontaminohet liria dhe përçmohet historia? Po u shtrembërohet e vërteta dhe po u vihet në diskutim e ardhmja? Çfarë po bëjnë?