Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Pro Bashës kanë votuar 73 deputetë, kundër 30 dhe 3 abstenuan.
Deputetët e VV-së, shumica e atyre të Partisë Demokratike të Kosovës, një pjesë e atyre të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa të minoriteteve jo shumicë votuan pro Bashës.
Kundër tij, votuan ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata të Listës Serbe dhe dy nga PDK-ja.
Para tij, VV-ja kishte propozuar edhe disa kandidatë të tjerë: Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla, Hekuran Murati e Arbërie Nagavci. Asnjëri prej tyre nuk i kishte marrë votat e nevojshme.
Basha në tentativën e dytë arriti që të marrë besimin e deputetëve, duke i dhënë zgjidhje kështu ngërcit të krijuar me moskonstituimin e Kuvendit tash e gjashtë muaj.